Vanoli feston pikën e parë: Më lumturon rritja e grupit, rezultatet nuk më kënaqin

Rodolfo Vanoli ka marrë pikën e parë në krye të stolin të Dinamos dhe pas barazimit ndaj Vllaznisë në “Gol Pas Goli” thotë se skuadra po përmirësohet dhe se duhet kohë që projekti të materializohet.

“Jam i kënaqur për djemtë e mi, qëkur kam qenë unë ka pasur performancë të mirë skuadra. Në ndeshjen e parë me Tiranën, Ibraimi ka humbur penallti dhe jemi penalizuar në vazhdim nga gabime individuale. Kjo edhe sepse kanë luajtur lojtarë të rinj dhe kjo është normale.

Formacioni është gjithnjë i njëjti, është punuar te individët. Nuk kanë qenë të mësuar me këtë përqëndrim dhe ata që hynë sot nuk na ndihmuan, por na vendosën në vështirësi. Dhe, lojtarët që futen nga stoli duhet të bëjnë diferencën. Gjithmonë përpiqemi ta fitojmë ndeshjen dhe kemi futur sulmues, por ndoshta ky është limiti jonë.

Më bën të lumtur rritja e grupit, rezultatet nuk më kënaqin. Kam ardhur për të sjellë një filozofi dhe jo thjesht për të mbyllur kampionatin. Ndaj puna do të shihet me kalimin e kohës sidomos me rritjen e të rinjve.

Ne kemi një projekt të artë dhe kur është një projekt në mes duhet kohë. Jam i bindur që këta lojtarë mund të ecin shumë përpara, po i referohem Laçit sepse atje punohet mirë. Kanë pasur lojtarë që para dy vitesh, i kanë ndëtuar në shtëpi dhe tashmë po luajnë. Kështu duhet punuar.

Qëkur kam ardhur kam shpresuar gjithnjë dhe nuk demoralizohem nga humbjet siç nuk ekzaltohem kur fitoj. I jap gjithçka klubit”, ka thënë Vanoli. / Oversport.tv