Vanoli: Loja është, mungojnë veç rezultatet! Te Dinamo për projekt afatgjatë

Dinamo është me një këmbë në Kategorinë e Parë. Humbja e sotme kundër Teutës ishte e rëndë, ndaj një rivali direkt. Trajneri Rodolfo Vanoli ka deklaruar: “Që kur kam ardhur këtu, po mundohemi të luajmë futboll.

Jemi penalizuar nga këto gabime individuale. Më vjen keq për lojtarët që po punojmë mirë, por nuk po arrijmë të marrin kënaqësinë e rezultatit”. Italiani gjithsesi nuk dorëzohet dhe beson ende se Dinamo mund të qëndrojë në elitën e futbollit shqiptar.

“Unë do të besoj derisa matematika të na e lejojë. Më vjen keq për kartonin e kuq të Mija, edhe mund të evitohej. Ishte për të verdhë. Do të vazhdojmë të përpiqemi me seriozitet, siç kemi bërë deri tani. Është më se normale që lojtarët e rinj përballen me këto gabime”, shtoi Vanoli në “Gol pas Goli”.

“Mendoj se i dija vështirësitë që do të hasja. Shpresoja dhe besoj se mund ta shpëtoj, por kam ardhur këtu sepse ka qenë diskutimi për një projekt afatgjatë. Për momentin negativ është vetëm rezultati.

Ekipi po luan dhe po përballet mirë me të gjitha skuadrat. E vetmja keqardhje është për klubin dhe lojtarët. Nuk më ka ndodhur kurrë në karrierë, por është një mësim edhe për mua”, përfundoi trajneri Vanoli deklaratën e tij. / oversport.tv