VAR, autogol dhe një silurë: Barazim dramatik mes Dinamos dhe Laçit

Dinamo dhe Laçi janë ndarë në barazim 1-1 në duelin e parë të javës së dytë në Abissnet Superiore. Takimi i luajtur në “Elbasan Arena” ishte mjaft emocionues dhe me raste, që nisën që në minutën e parë.

Zarubica kishte rastin e artë të ndëshkonte Dinamon, por nuk gjuajti si duhet pak metra me portën. Kurbinasit ishin më kërkues në fillim, ndërsa me kalimin e minutave blutë nisën të shohin më tepër drejt portës së Sherrit.

Ata provuan me disa goditje nga distanca dhe për t’u përmendur është një tentativë e Besir Demirit. Në fundin e pjesës së parë Sofranac shënoi, por pasi u pa në VAR u arrit në përfundimin se mbrojtësi ishte pozicion jashtë loje.

0-0 pjesa e parë, ndërsa në të dytën u desh një autogol për të zhbllokuar ndeshjen. Shehu devijoi një top që shkoi në shtyllë dhe më pas në rrjetë, çka bëri që Dinamo të festonte epërsinë kundër Laçit.

Kurbinasit nuk ishin çfarë humbnin më dhe trajneri Vukcevic hodhi në fushë Mazrekajn, Prengën, Qaton dhe Zylfiun. Ademi kishte mundësinë më të mirë të shënimit, por nuk ia doli dot. Në fund lëshoi një “predhë” Roganovic.

Asnjë shans për portierin Harizaj, sikurse edhe për VAR që e konsideroi të rregullt golin e Laçit. 1-1 dhe Laçi mori pikën e parë në kampionat, ndaj një rivali si Dinamo që kishte fituar në debutim kundër Kastrioti dhe sivjet ka pretendime të mëdha. / oversport.tv