VAR, gafë dhe penallti si Jorginho: Teuta mposht Partizanin në Elbasan

Kampionët e Teutës e nisin me fitore kampionatin, pasi mposhtën me rezultatin minimal 1-0 Partizanin. Durrsakët iu falën një goli të Pepi Gorgiev, i cili shfrytëzoi një gabim të Alban Hoxhës dhe e çoi topin në rrjetë.

Teuta ishte cinike në fushë, ashtu sikurse një sezon më parë. “Demat” lëshuan një sinjal me Herald Markun, pas një goditjeje këndi. Portieri Qirko reagoi në mënyrën e duhur dhe e devijoi topin.

Një minutë më pas, në të 17-n, Gorgiev u ndal nga shtylla, ndërsa në aksionin tjetër Alban Hoxha i dhuroi një top sulmuesit dhe ai nuk fali, duke realizuar në debutimin e tij në Superiore.

Rastet në këtë ndeshje ishin të pakta. Në fillimin e pjesës së dytë, pasi arbitri Juxhin Xhaja iu drejtuar sistemit VAR, akordoi një penallti për një prekje të topit me dorë.

Stenio Junior u mundua të imitonte Juninhon e Italisë, por shënjestra e tij nuk ishte e duhura dhe topi përfundoi jashtë kuadratit. Partizani u mundua të reagonte dhe provoi me Kaçen dhe Cardoson, por asnjë nuk mundi të realizonte golin që do të shmangte humbjen ndaj Teutës. /oversport.tv