VAR-i sërish protagonist, Tirana dhe Egnatia ndajnë nga një pikë

Tirana është ndalur në një barazim 1-1 në “Selman Stërmasi” përballë Egnatias, duke humbur kështu një mundësi të mirë për t’u ngjitur e vetme në krye të renditjes së “Abissnet Superiore”. VAR-i sërish protagonist, pasi anullon golin e dytë të shënuar nga skuadra bardheblu.

Pjesa e parë, megjithëse është kontrolluar nga bardheblutë, nuk ka dhuruar shumë emocione dhe është mbyllur në barazim të bardhë 0-0. Me fillimin e fraksionit të dytë, Tirana gjen rrugën e rrjetës me Taulant Seferin, por rrogozhinasit barazojnë pas vetëm 6 minutash me një gol shumë të bukur të Demir Imerit.

Seferi kalon sërish në avantazh Tiranën, por ndërhyn VAR dhe pas 6 minutash konsultimi, gjyqtari Laver Alla anullon golin e bardhebluve.

Minutat e mbetura dhe as shtesa e gjatë nuk ndryshuan asgjë në rezultatin e kësaj sfide. Tirana shkon në kuotën e katër pikëve, ndërsa Egnatia merr pikën e parë në kampionat.