Sistemi VAR ka “zbarkuar” edhe në Shqipëri. Për herë të parë u përdor në finalen e Superkupës mes Vllaznisë dhe Teutës, ndërkohë që do të përdoret në të gjitha ndeshjet e Superiores dhe nga faza finale e Kupës së Shqipërisë.
Pas disa provave në ndeshje miqësore, prej 11 shtatorit do të aplikohet edhe në kampionat. Sektori i Garave dhe ai i Arbitrimit në FSHF, në nisje të kampionatit, ka zhvilluar sot një takim me trajnerët dhe kapitenët në ekipet e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë.
Ky takim kishte për qëllim që t’u shpjegohej aktorëve të garës se si funksionon sistemi VAR, shoqëruar edhe me shembuj nga ndeshje të garave europiane.
E gjitha kjo që po ndodh është diçka e re për ekipet tona të futbollit dhe në FSHF duan të shmangin polemikat për rastet kur përdoret dhe nuk përdoret VAR-i.