Daniele Maldini u aktivizua për herë të parë si titulluar me fanellën e Milan në fitoren e kuqezinjve përballë Spezias ditën e djeshme. Mesfushori me tipare ofensive mori vendin e Brahim Diaz, i cili u la pushim nga trajneri për t’u aktivizuar në fraksionin e dytë të lojës.
Djali i drejtorit teknik, Paolo Maldini, dhe nipi i ikonës kuqezi Cesare Maldini, nuk zhgënjeu në paraqitje, duke lënë shenjë në prani të babait të tij, i cili nuk mund të mos gëzonte.
View this post on Instagram
I riu 19-vjeçar shënoi në pjesën e dytë, më saktë në minutën e 48-të, i shërbyer nga mbrojtësi i djathtë Pierre Kalulu.
Spezia riktheu baraspeshën në minutën e 80-të nga Verde, përpara se fantazisti spanjoll Brahim Diaz të vuloste përfundimisht fatet e takimit në minutën e 86- të, për t’i dhënë e 3 pikë të rëndësishme Milanit.
Daniele në këtë mënyrë vazhdon të trashëgojë historinë e lavdishme të lënë nga babai dhe gjyshi i tij, ndërsa premton shumë për të ardhmen.
Kujtojmë që Paolo Maldini debutimin e tij zyrtar me fanellën e Milanit e bëri në vitin 1988-të, thuajse 33 vite më parë, ndërsa Cesare Maldini, i cili ndërroi jetë në vitin 2016-të, bëri debutimin e tij zyrtar me këtë fanellë në vitin e largët 1954-të, 67 vite më parë./ oversport.tv