“Vdes për qoftet, më bëjnë të harroj dhe makaronat”, Colella tregon veten e tij jashtë futbollit

Rrëfimi ndryshe për Oversport i Giovanni Colellës pasi fitoi trofeun si trajneri më i mirë i muajit mars ka sjellë edhe një panoramë të jetës së teknikut jashtë futbollit. Gjatë përgjigjeve të tij Colella zbuloi më shumë detaje nga jeta e tij në Tiranë, ushqimet e preferuara dhe se çfarë i ka rënë më shumë në sy te shqiptarët.

Flasim pak për Colellan jashtë futbollit. Si e kalon kohën e lirë?

Nuk bëj asgjë të veçantë, sepse koha e lirë për trajnerët nuk është kaq e madhe sa mendojnë të tjerët. Sepse përgatitja e javës, e ditës dhe e stërvitjes të merr shumë kohë. Më pëlqen të lexoj. Lexoj shumë. Jam kureshtar dhe lexoj shumë histori.

Ju pëlqen Tirana?

Shumë. Më pëlqen Tirana. Është një qytet me gjallëri. Është qyteti klasik i madh, por që nuk është i madh. Përveç trafikut që është i tmerrshëm. Kam provuar edhe t’i jap makinës këtu. I kam dhënë në Romë, kështu që Tirana nuk është aq keq. Në Romë nuk ka parkime 2-she, por katërshe.

Sa të mungon familja?

Po. Më mungojnë shumë të gjithë. Nuk është e lehtë të jetosh në një distancë mijëra kilometra, për më tepër me një djalë 16-vjeç. Duhet të jesh prezent edhe në jetën e tij. Nuk është e lehtë. Është diçka e vështirë. Ka ardhur një herë në Tiranë. Nuk ka parë një ndeshje, por do të vijë sërish. Nuk doja që të humbte ditët e shkollës, sepse nuk i ka pasur punët mirë me mësimet. Tani është pak më mirë dhe do të vijë.

Kam informacione që me ushqimin je shumë i lidhur. Cili është ushqimi juaj i preferuar në Shqipëri?

Më pëlqen shumë ushqime tradicional këtu në Shqipëri. Supa më pëlqen shumë. Unë ha gjithçka. Nëse do të ha gjithmonë ushqim tradicional shqiptar jam i lumtur. Nuk do të mungonte as ushqimi italian.

Nga Partizani thonë se trajneri ha shumë qofte…

Kjo është e vërtetë. Ndonjëherë dalim në mbrëmje për të parë ndonjë ndeshje afër shtëpisë me Marinin. Është një person që në fakt ushqimi nuk e bezdis shumë dhe marrim qofte.

Dua të di edhe se çfarë vlerësoni më shumë te shqiptarët dhe çfarë do të doje të ndryshoje tek ata?

Kjo nuk është e drejtë. Unë nuk ndryshoj asnjë dhe asgjë. Të ndryshosh nuk është e drejtë. Sipas meje ky vend ka mundësi të jashtëzakonshme.  Ka një dëshirë të madhe për t’u përmirësuar në të gjitha aspektet. Ka një dëshirë për t’i nisur gjërat, por pak më pak për t’i vazhduar ato.

Vazhdueshmëria është ajo që mungon. Këmbëngulja për të shkuar deri në fund. Kjo gjë iu mungon edhe lojtarëve, për këtë arsye kanë vështirësi kur shkojnë jashtë Shqipërisë. Mungon ky vullneti për t’i vazhduar gjërat ashtu siç i nis. Këtu ka ide brilante, por pastaj mungon rezistenca në gjërat që bëhen. Edhe të bësh profesionistin në futboll për gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm për 1 apo 2 ditë. Edhe kjo është e vështirë këtu. Këtu ka vend për përmirësim.

A ke menduar të jetosh këtu? Sepse këtu ka shumë italian që jetojnë.

Unë nuk i vë emrin dhe nuk bëj plane për asgjë. Nëse takoj një person dhe nuk e etiketoj. Ndoshta ai bëhet miku im më i mirë, e ndoshta nuk e takoj më të nesërmen. Bëj hapin e parë dhe pastaj jam i hapur për gjithçka që vjen. Pavarësisht moshës vazhdoj të jem i njëjti. /oversport.tv