Veliaj: Prindër mësoni fëmijët me kulturë sportive dhe lojën në skuadër, sporti diplomacia më e mirë

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka dhënë çmimin e parë për fituesin e kategorisë femra në Tirana Triathlon dhe në fjalën e tij ka theksuar se sporti është magjik dhe se është diplomacia më e mirë dhe na bën të gjithëve bashkë.

“Falënderoj të gjithë vullnetarët, falënderoj Deboran që ka organizuar një superskuadër dhe ka bërë një aktivitet shumë të mirë. Promovon sportin gjatë gjithë vitit. Farka është kthyer në një vend shumë tërheqës. Kemi një park të dytë pas atij të liqenit të Tiranës.

Nuk ka drekë falas dhe i gjithë ky aktivitet është bërë i mundur falë shumë donatorëve. Falënderoj Oversportin që transmeton këtë event. Janë zëdhënës të garës dhe të gjithë eventeve sportive. Kam një mesazh për të gjithë prindërit regjistroni fëmijët në sport. Mësoji ata me kulturën sportive dhe me lojën në skuadër.

Do të fillojnë përgatitjet për maratonën e Tiranës, ku do të garoj edhe unë. Do të ketë edhe shumë aktivitet të tjera sportive në Tiranë. Përgëzoj të gjithë sportistët që janë prezent, pasi këtë vit që Tirana është kryeqyteti europian i sportit do të kemi shumë evente sportive. Rëndësi ka pjesëmarrja në sport, pasi ky është qyteti ynë fitues.

Jemi në Ballkan, jemi shumë energjikë, ndoshta debatojmë edhe më shumë, por jemi fqinj. Nëse shohim ç’ndodhi në Ukrainë, fqinjët janë të rëndësishëm. Ne zgjedhim që të jetojmë në paqe me njëri tjetrin dhe sporti është magjik, pasi është i ngjashëm për të gjithë. Fitojmë, humbasim , biem dhe ngrihemi bashkë. Fqinjët nuk i zgjedhim dot, por jemi të destinuar që të jetojmë bashkë. Sporti është diplomacia më e mirë dhe na bën të gjithëve bashkë”, ka thënë mes të tjerash Veliaj. / Oversport.tv