Vëllai i Balotellit akuzon kombëtaren italiane: Ka komplot kundër Marios

“Ne nuk jemi Franca që mund të përballojmë njerëz si Benzema, Mbappè, Giroud. Me respektin më të madh për Italinë, por nuk i kemi këto mundësi në sulm. Kjo është arsyeja pse dikush si Balotelli nuk mund të mos merret në konsideratë. Edhe vetëm për të qenë pjesë e grupit”. Kështu i ka nisur kritikat për kombëtaren italiane vëllai i Mario Balotellit, Enock. Ai dha një intervistë të gjatë për Notizie.com, ku ndër të tjera shprehu edhe pakënaqësinë për mos grumbullimin e vëllait të tij.

“A kanë rëndësi golat? Epo, ai shënoi shumë në Francë, e megjithatë nuk u mor në konsideratë nga kombëtarja. Ata nuk shikojnë se çfarë po bën në fushë Mario, por diçka tjetër dhe më vjen shumë keq për këtë. Në dy vitet e fundit ka pasur shumë probleme fizike, por tani është mirë.

Ai luan vazhdimisht dhe po shënon. Mario thjesht ka nevojë për dikë që t’i besojë, por në Itali ata që luajnë në front kritikohen shumë. Edhe Immobile, i cili shënon shumë, ka përfunduar në syrin e stuhisë dhe për disa nuk do të ishte qendërsulmuesi ideal për Italinë, imagjinoni Marion. Të gjithë do të ishin gati ta sulmonin sërish. Unë e di se sa shumë kujdeset ai për Italinë dhe fanellën prandaj shpresoj se do të merret në konsideratë”.

Ai më pas hodhi idenë e një komploti ndaj Balotellit: “Unë mendoj se është dikush brenda grupit që nuk e do atë. Dikush që nuk e duron dot karakterin e tij të fortë. Mancini gjithmonë e ka dashur dhe e ka respektuar, por vendoseni veten në vendin e tij. Si mund të thërrasë dikë që hap gjithmonë polemika”. /oversport.tv