Vendimi: Bayerni i Mynihut ul pagat e lojtarëve të pavaksinuar

Bayerni i Mynihut ka vendosur që të reduktojë pagat e lojtarëve të pavaksinuar kundër Covid 19 dhe atyre që futen në izolim, si Joshua Kimmich, që është në karantinë pasi ka qenë në kontakt me persona të infektuar. Lajmin e bën publik e përjavshmja “Bild am Sonntag”.

Kimmich u fut në izolim për herë të dytë të premten, për shkak të një shpërthimi të ri të Coronavirusit në vend. Lojtari kishte dalë të martën nga karantina, pasi kishte qenë në kontakt me shokun e skuadrës Niklas Sule, që rezultoi pozitiv javën e kaluar.

Sipas asaj që shkruan e përjavshmja gjermane, drejtuesit e Bayernit kanë informuar Kimmich dhe katër shokët e tij të skuadrës se rrogat e tyre do të ulen nëse do të futen në izolim.

Serge Gnabry, Jamal Musiala, Eric Maxim Choupo-Moting dhe Michael Cuisance janë lojtarët e tjerë të klubit gjerman që nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës, sipas Bild. /Oversport.tv