Vendos Redon Xhixha në kryeqytet, njeriu i derbeve thyen edhe Dinamon

Redon Xhixha është njeriu i derbeve te Tirana. Tre gola ndaj Dinamos, sot një me vlerën e tre pikëve, dhe një ndaj Partizanit. Praktkisht gjashtë pikët diferencë që bardheblutë mbajnë me Laçin e Kukësin, që i kishin vënë në presion.

Tirana u përgjigj dhe fitoi 1-0 ndaj Dinamos, ndërkohë që regjistroi disa momente shënimi në këtë ndeshje. Në fundin e pjesës së parë Sidibe e largoi topin nga vija fatale, kurse më pas Simoni iu përgjigj Xhixhës dhe në një rast e ndihmoi shtylla pingule.

Hoxhallari lëshoi një silurë nga një goditje dënimi, por nuk mundi të shënonte dot. Dy minuta më parë VAR i kishte prishur festën Dinamos, që realizoi me Bardhin, i cili e kishte marrë topin me dorë dhe pamjet filmike ishin të qarta.

Xhixha më pas nuk fali në minutën e 69-të dhe e mposhti portierin Simoni, i cili nuk kishte pësuar në ndeshjet e fundit në portën e Dinamos. Blutë u munduan ta shmangnin humbjen, por Dennison dhe Sofranac në minuta shtesë nuk ishin të saktë me goditjet e tyre.

Sërish humbje në derbin e kampionatit me Tiranën dhe sërish Xhixha që u kthehet në një “makth”. Tani në kampin blu mund të mendojnë për derbin e Kupës me Partizanin të enjten.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 17
Dinamo-Tirana 0-1
Shënues
: Xhixha 69’

/ oversport.tv