Myrto Uzuni shkruan emrin e tij me germa të arta në historinë e Ferencvaros. Sulmuesi beratas, që hungarezët e blenë për 1.8 milion euro nga Lokomotiva Zagreb, ka shënur ditën e djeshme gjashtë gola në një ndeshje.
Prej 61 vitesh nuk e bënte diçka të tillë një futbollist me fanellën e Ferencvaros. Uzuni ia doli dhe barazoi rekordin e një legjende si Florian Albert, fitues i Topit të Artë në vitin 1967 dhe një lojtar që e nisi dhe e mbylli karrierën me kampionët e Hungarisë.
Albert i kishte shënuar 6 gola skuadrës së Debrecen, në një ndeshje zyrtare, kurse Uzuni dje ndëshkoi modestët e Hatvan (ekip i ligës së tretë) në Kupën e Hungarisë. Shifrat e vendosin beratasin në piedestal. / oversport.tv