Vendoset titulli në aksin Milano-Romë, 4 sfida të Serie A vijnë sot në Oversport

Rikthehet në ekranin e Oversport dhe Tibo magjia e kampionatit italian të futbollit, që do të luajë këtë fundjavë ndeshjet e javës së 34-t. Lufta për titull është më e ndezur se kurrë në këtë fund sezoni dhe rezultatet e kësaj jave mund të rezultojnë vendimtare në këtë garë.

Titulli mund të vendoset në aksin Milano-Romë, sepse dy skuadrat e kreut, Milani dhe Interi do të përballen me rivalët nga kryeqyteti këtë fundjavë. Sot luhet supersfida Inter-Roma, ndërsa nesër ndeshja Lazio-Milan.

E shtuna e Serie A në Oversport nis me sfidat Torino-Spezia dhe Venezia-Atalanta që do të luhen në orën 15:00. Në Torino pritet një derbi shqiptarësh, pasi Berisha për vendasit dhe Manaj për miqtë do të nisin sfidën si titullarë. Venezia kërkon pikë shprese përballë Atalantës që synon të lërë pas momentin negativ që po kalon.

Në orën 18:00 në “San Siro” luhet kryendeshja e kësaj jave në Serie A, përballja Inter-Roma. Pas suksesit në derbi dhe kualifikimit në finalen e Kupës së Italisë zikaltërit kërkojnë suksesin e radhës në kampionat, që të marrin kreun e renditjes. Miqtë janë skuadra e momentit në Itali, pasi kanë marrë 12 rezultate pozitive në kampionat. Mourinho rikthehet sërish në Milano, aty ku ka shkruar historinë me skuadrën zikaltër.

Ditën e sotme do të mbyllë ndeshja Verona-Sampdoria, që do të luhet në orën 20:45. Të gjitha këto sfida mund ti ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Formacionet e mundshme janë bazuar te Sportmediaset