Vendosin Giroud dhe Mbappe, Franca mposht Poloninë dhe shkon në çerekfinale

Franca nuk gabon në sfidën përballë Polonisë, fiton me rezultatin 3-1 dhe siguron një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës, Katar 2022. Giroud në fund të pjesës së parë dhe Mbappe (realizon dy gola) në pjesën e dytë shënojnë golat që kualifikojnë kampionët në fuqi të turneut mes tetë skuadrave më të mira të Kupës së Botës. Goli i Lewandowskit në minutat shtesë vlen vetëm për statistika, pasi Polonia i thotë lamtumirë Kupës së Botës.

Pjesa e parë është e ekuilibruar. Franca dominon lojën, por Polonia nuk duket e dorëzuar. Francezët rezikojnë me Giroud, ndërsa polakët përgjigjen me Zielinski. Në minutat e fundit të pjesës së parë është sulmuesi i Milanit, ai që zhbllokon sfidën dhe shënon golin e 52-të me skuadrën kombëtare, duke u bërë golashënuesi më i mirë i Francës.

Francezët luajnë më mirë edhe në pjesën e dytë, kur protagonist bëhet Mbappe, që fillimisht shënon golin e sigurisë, ndërsa në kohën shtesë realizon një tjetër perlë që vendos përfundimisht fatin e kësaj sfide. Ylli i PSG-së realizon dygolëshin e radhës në Katar 2022 (më parë kishte shënuar 2 gola ndaj Danimarkës) dhe ngjitet në kuotën e 5 golave në këtë Botëror.

Në minutat shtesë, Polonia fiton një penallti që ekzekutohet nga Lewandowski, që gabon herën e parë, por pas përsëritjes së 11-metërshit tregohet i saktë dhe çon në 3-1 rezultatin përfundimtar të kësaj sfide.

Franca kualifikohet në çerekfinale ku do të ketë përballë fituesin e sfidës Angli-Senegal, ndërsa Polonia kthehet në shtëpi. / Oversport.tv

Foto: FIFA World Cup Twitter