Venezia synon suksesin shtëpiak, Fiorentina do të ruajë hapin e kryesueseve

Java e tetë e Serie A mbyllet në stadiumin “Penzo” të Venezias, aty ku në orën 20:45 formacioni vendas i drejtuar nga Paolo Zanetti do të presë Fiorentinën, një takim që do të transmetohet në kanalin Oversport 1.

Venezia, që ka katër javë që nuk arrin të provojë shijen e fitores, do të kërkojë fitoren e parë sezonale në shtëpi në sfidën e sotme. Tekniku Zanetti ka akoma disa dyshime përsa i përket formacionit dhe ka grumbulluar për këtë sfidë blerjen më të re te klubit Sergio Romero. Portieri mund të debutojë në Serie A në takimin e sotëm.

Në krahun tjetër qëndron Fiorentina, që kërkon të harrojë humbjen me Napolin, dhe synon të rikthehet tek suksesi, që të mbajë ritmin e skuadrave të kreut. Tekniku Italiano duhet të bëjë pa ndihmën e Dragowskit, pasi portieri polak do të qëndrojë larg fushës për të paktën një muaj. Në vend të tij do të luajë Terracciano.

Formacionet e mundshme

Venezia (4-3-3): Romero; Mazzocchi, Caldara, Ceccaroni, Molinaro; Ampadu, Vacca, Busio; Aramu, Henry, Johnsen

Fiorentina (4-3-3): Terracciano; Odriozola, Milenkovic, Igor, Biraghi; Bonaventura, Amrabat, Duncan; Callejon, Vlahovic, Gonzalez