Verissimo: Besojmë te kualifikimi në “Anfield”, nuk mendojmë për Sportingun

Trajneri i Benficas, Nélson Veríssimo ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së kthimit të çerekfinaleve të Champions kundër Liverpool.

Tekniku ka siguruar se portugezët do të japin maksimumin në “Anfield” dhe se nuk do të mendojnë për ndeshjen e së dielës kundër Sportingut në kampionat.

“Ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme. Kishte shumë vite që nuk luanim në këtë fazë të turneut dhe besojmë se është e mundur që të kualifikohemi.

Do të hedh në fushë skuadrën më të mirë, duke marrë parasysh se edhe ata që do të hyjnë gjatë ndeshjes mund të japin sinjale pozitive. Kemi besim dhe jemi ambiciozë, shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë”, ka thënë Veríssimo.

Nëse humbet të dielën kundër Sportingut, Benfica nuk mund të kualifikohet direkt në Champions League sezonin e ardhshëm. “Ndeshja më e rëndësishme është ajo kundër Liverpool. E dimë rezultatin dhe diferencën që kemi me kundërshtarët.

I vlerësojmë të gjitha turnetë ku marrim pjesë, situata është e komplikuar në kampionat, por për Sportingun do të mendojmë më vonë”, ka përfunduar trajneri i Benficas. / Oversport.tv

Foto: Sport Lisboa e Benfica Facebook