Verona shtang Empolin në shtesë, Tameze sjell festën në “Bentegodi”

Një gol në minutat shtesë, i ka dhuruar fitoren Veronës në sfidën përballë Empolit. Tameze bën të shpërthejë “Bentegodi” me golin e shënuar në minutën e 91-të, që vulosi fitoren 2-1 të Veronës përballë Empolit. Miqtë kanë luajtur mirë dhe ndoshta meriton diçka më shumë nga kjo sfidë, por rregulli i pashkruar në futboll thotë se nëse nuk shfrytëzon rastet atëherë do të ndëshkohesh.

Pjesa e parë e sfidës së “Bentegodit” nuk ka dhuruar shumë emocione, por ka qenë Empoli skuadra që i është afruar më shumë golit. Toskanët kanë pasur dy raste të arta për të zhbllokuar ndeshjen, fillimisht Henderson ka goditur traversën me një gjuajtje të fortë nga 25 metrat, ndërsa më pas është Pinamonti, që nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë kur është gjendur i vetëm përballë portës së Veronës.

Sapo fillon pjesa e dytë, Verona gjen golin. Lazovic dërgon një krosim të bukur në zonë dhe Barak shënon me kokë, duke zhbllokuar sfidën. 1-0 dhe tashmë vendasit janë më të qetë, ndërsa miqtë mundohen të reagojnë.

Bajrami futet në lojë në minutën e 57-të dhe mundohet që ti japë më shumë fantazi skuadrës së tij. Empoli rrit ndjeshëm lojën dhe arrin të barazojë sfidën në minutën e 67-të me Romagnolin.

Toskanët luajnë më mirë, madje shqiptari Nedim Bajrami rrezikon portën e Veronës në dy raste, por nuk arrin të gjejë dot rrugën e rrjetës. Kur dukej se sfida do të mbyllej në barazim, Tameze shënon për vendasit dhe i jep Veronës tre pikë të arta.

Itali – Serie A / Java e 13-të

Verona-Empoli 2-1

Tameze 90+1’, Barak 49’/Romagnoli 67’