Vidal sinjale lamtumire Interit: Unë në Premier League? Ka ende kohë

Arturo Vidal duket se ka dhënë disa sinjale lamtumire për ekipin e tij aktual Interin. Mesfushori kilien i është përgjigjur disa pyetjeve në rrjetin e tij social, Instagram, ku ndër të tjera ka folur edhe për të ardhmen e tij. Ai tha se ka refuzuar shumë oferta nga Anglia, por do ta konsideronte një mundësi transferimi në të ardhmen.

“Premier League? Kam pasur shumë mundësi në të kaluarën, por në fund kam thënë jo dhe nuk ka ndodhur asgjë. Megjithatë, jam shumë i kënaqur me udhëtimin që kam bërë në karrierën time. Do të shoh se si do të shkojë ky vit, çfarë do të ndodhë dhe cili do të jetë fati im i ardhshëm. Kam ende kohë për të shkuar në Angli. Megjithatë, këtë vit dua të jap gjithçka për Interin dhe të luftoj deri në fund”.

Emri i Vidal është lidhur shumë shpesh me një largim të mundshëm nga Interi. Mesfushori ka një rrogë të majme në ekipin zikaltër dhe për shkak të momentin negativ që po kalon nga ana financiare, mund të sakrifikojnë rrogën e lojtarit për të ulur shpenzimet. Në këtë moment ku ndodhet Inter, një pagesë e tillë për një lojtar stoli është më tepër se një luks. /oversport.tv