VIDEO/ Miami Heat në finalen e Lindjes, Mavericks “kockë e fortë” për Suns

Miami Heat është finalisti i parë i Konferencës së Lindjes, pasi i ka mbyllur llogaritë me Philadelphia 76ers pas gjashtë ndeshjesh. Me epërsinë 4-2 me ndeshje ata siguruan finalen dhe në duelin e fundit triumfuan me shifrat 99-90.

Miami e nisi ndeshjen me një epërsi të lehtë, kurse diferencën më të madhe e krijoi në periodën e tretë kur në fund të saj regjistroi 11 pikë më shumë. 76ers më pas nuk ia dolën ta përmbysin dhe largohen kështu nga faza playoff e NBA.

Jimmy Butler (32 pikë, 4 asiste, 8 rebound) dhe Max Strus (20 pikë, 5 asiste, 11 rebound) udhëhoqën skuadrën e Miami drejt triumfit, duke zhvlerësuar 40 pikët (20 secili) Joel Embiid dhe Tyrese Maxey.

Dallas Mavericks nuk e ka lënë të festojë Phoenis Suns, pasi ka barazuar serinë e playoff në 3-3. Skuadra nga Teksasi fitoi në gjysmëfinalen e gjashtë të Konferencës së Perëndimit me rezultatin 113-86, në një ndeshje që e kontrolloi të gjithën dhe finalistja përcaktohet në duelin e fundit.

Luka Doncic ishte fantastik si gjithmonë, këtë herë me 33 pikë, 8 asiste dhe 11 topa të kapur në tabelë. 19 pikë realizoi Reggie Bullock, 18 Jalen Brunson dhe 15 Spencer Dinwiddie, duke bërë që Suns të dilnin të mposhtur. Devin Booker u ndal në kuotën e 19 pikë, kurse Chris Paul realizoi vetëm 13. / oversport.tv

Foto: Miami HEAT, Twitter