VIDEO/ Ofertat e refuzuara, pengu me Partizanin dhe dueli i munguar me Bekim Balaj, Eneo Bitri flet për Oversport

Nga Partizani te Banik Ostrava. Kjo është rruga që Eneo Bitri do të ndjekë në karrierën e tij. Kapiteni i “Demave” largohet nga kryeqyteti dhe do të vazhdojë aventurën e tij futbollistike në Republikën Çeke. Megjithatë, përpara se të largohet, pikërisht në aeroport, Bitri ka dhënë një intervistë për Oversport të fundit si lojtar i Partizanit.

“Ishte një vendim i vështirë për mua sepse është shumë e vështirë të ndahesh nga Partizani në këtë lloj mënyrë. E lash ekipin në vendin e parë, ishte shumë e vështirë, por që ishte një vendim i rëndësishëm në karrierën time dhe të gjithë më kuptuan dhe i falenderoj të gjithë pa masë, veçanërisht presidentin Demi që ma bëri shumë të thjeshtë pasi ai është krahu im i djathtë.

BANIK OSTRAVA- “Është një hap mjaft i mirë në karrierën time, jam në momentin e duhur që unë të bëja një lëvizje të tillë. Kisha disa mundësi nga kampionate të tjera, por mendoj se kampionati çek është ai që më përshtatet. Tani të shpresoj që çdo gjë të shkojë shumë mirë.”

OFERTAT E TJERA- “Kam refuzuar Turqinë në Ligë të Parë, kam refuzuar një ekip sllovak dhe mendova të vazhdoja karrierën te Baniku.”

ME KË U KONSULTOVE PËR TRANSFERIMIN- “Me thënë të drejtën jam konsultuar me disa nga djemtë e kombëtares sepse ata kanë luajtur në çeki dhe kam krijuar një ide që është fiks për lojën time dhe është një futboll shumë fizik dhe them se do të jetë një zgjidhje e duhur për mua.”

KAPITENI I PARTIZANIT- “Është një ndjesi shumë e veçantë. Diçka shumë e bukur që më ndodhi. Siç të thash ishte shumë e vështirë që të ndahesha në këtë lloj mënyrë, por futbolli kështu është. I kam lënë një porosi çunave që të më plotësojnë dëshirën më të madhe të vij ta festoj titullin kampion me ata.”

SFIDA E FUNDIT ME PARTIZANIN- “Nga ndeshja e djeshme (Kastrioti-Partizani 1-1) mendoj se ekipi po kalon një ngërç psikologjik. Ishte një ndeshje që tregoi se dënohemi nga gabimet tona. Është e pamundur kjo gjë që po na ndodh sepse nuk na ka dominuar dot asnjë ekip deri më sot, me statistika dhe çdo gjë tjetër, por që futbolli ky është, po nuk je i vëmendshëm normale që do pësosh.”

PENGU TE PARTIZANI- “Një peng te Partizani është që nuk e çova deri në fund atë që nisëm dhe jam ndjerë shumë keq. Tifozët më kanë suportuar dhe më vjen keq që i kam lënë në këtë mënyrë, por shpresoj të kem bërë gjënë e duhur në karrierën time dhe familjen time.”

SULMUESI QË KA HAPUR MË SHUMË PROBLEME- “I vetmi sulmues që më hapte probleme është Xhuliano Skuka në stërvitje. Me të tjerët në Kampionatin shqiptar, tani që shtohet cilësia mund të them Bekim Balaj. Do të doja shumë një duel me të, por gjërat ndryshuan.”

REAGIMI I SKUADRËS PËR LARGIMIN- “Trajneri Colella ka qenë dhe do të mbetet një ndër trajnerët më të mirë që unë kam punuar te Partizani dhe më ka mbështetur i pari për këtë gjë. Ai ka menduar për karrierën time, ka menduar që për mua është një hap mjaft i mirë ky që po bëj sot. Ai u ndie pak i prekur për këtë gjë sepse mendoi se do ta çonim deri në fund këtë kampionat. Shpresoj që atij ti shkojë sa më mbarë sepse është një trajner shumë i zoti dhe i mirë.”

KOMBËTARJA- “Kombëtarja për mua ishte diçka shumë e madhe, shumë e bukur, por për këtë gjë i jam falenderues gjithë jetën Partizanit. Patizani është ai që më dha mundësinë të jem në Kombëtare sot. Shpresoj që ftesa të më vijë, por edhe nëse s’vjen dhe do punoj fortë, do të bëj maksimumin që të jem përsëri pjesë e Kombëtares.”

GJIMSHITI-ISMAJLI-KUMBULLA- “Janë tre lojtarë që luajnë në Top ligën e futbollit europian dhe normalisht nuk ka njeri që t’i gjykojë. Unë do të bëj maksimumin tim që të jem në top katërshen. Shpresoj të jem pjesë e Kombëtares sepse është kënaqësi të jesh pjesë e këtyre djemve, janë shumë të mirë.”

IDHULLI- “Idhull nuk kam asnjë njeri. Eci me parimin në jetë që vetvetja është pasqyra e çdokujt. Shembull do të marr veten time sepse kam vuajtur shumë për të arritur këtë ditë ku jam sot.” /oversport.tv