Vierchowod sulmon Ferreron: Tani Sampdoria është e lirë

Pietro Vierchowod, ish-ylli i Sampdorias, sulmon drejtpërdrejtë ish-presidentin e klubit Massimo Ferrero, që është arrestuar për krime ekonomike dhe falimentim të shoqërive.

“Nuk më vjen aspak keq, përkundrazi, të paktën tani Sampdoria është çliruar. Duhet ta kishin mbyllur shumë kohë më parë këtë çështje. Tani shpresoj që Sampdoria të arrijë të rikthehet një skuadër e vërtetë dhe një klub serioz”, ka deklaruar ish-mbrojtësi.

Fjalë shumë të rënda, që sulmojnë Ferreron jo vetëm si individ, por edhe për mënyrën se si ka drejtuar klubin, marrëdhëniet me tifozët dhe gjithë botën e futbollit që vjen vërdallë Sampdorias.

“Menaxhim i keq? Nuk është çështje menaxhimi, por se si u prezantohesh njerëzve. Mua nuk më ka pëlqyer kurrë. Edhe klubi kishte filluar ti ngjante imazhit të tij. Në fund të ditës arrestimi i tij është një lajm i mirë”, ka përfunduar ish-mbrojtësi i Sampdorias dhe kombëtares italiane, Vierchowod. /Oversport.tv