“Viti i ardhshëm do të jetë ndryshe”, Allegri: Bilanci i sezonit? E dija që do të kisha vështirësi për të fituar

Arritja në Europa League dhe mbyllja në mënyrën më të mirë të sezonit është objektivi i fundit që ka këtë vit Max Allegri me Juventusin e tij. Në prag të sfidës së fundit përballë Udineses, tekniku i “Zonjës së Vjetër” ka folur gjithashtu për të ardhmen e tij si dhe çfarë pret nga skuadra.

“Duhet ta mbyllim mirë sezonin. Vijmë nga dy humbje radhazi në kampionat, por mund të futemi në Europa League. Megjithatë, kjo gjë nuk varet vetëm nga ne”, shprehet fillimisht Allegri.

UDINESE- “Ata nuk kanë çfarë kërkojnë më, por ndeshjet kundër Juventusit janë gjithmonë më të rëndësishmet. Lojtarët nuk janë robotë dhe kanë dhënë maksimumin në ndeshjet ndaj Empolit dhe Milanit. Ka keqardhje sepse mund të kishim ende shpresa për ta mbyllur këtë sezon mes katër më të mirave”.

SKUADRA- “Grupi është mirë, kanë bërë stërvitje mirë. Kërkojmë të bëjmë një ndeshje të bukura, Udinese do të provojë të na mposhti. Pas dy humbjesh radhazi do të provojmë ta mbyllim mirë sezonin.”

SEZONI- “Në fund të çdo sezoni ne bëjmë një bilanc, qoftë ai fitues apo si ky ku nuk kemi ngritur asnjë trofe. Kjo është pjesë e punës. Përveç pjesës së fundit të sezonit, e cila ishte anormale, ne mund të kishim bërë më mirë në pjesën e parë të sezonit.”

BILANCI PAS RIKTHIMIT TË ALLEGRIT- “E dija që do të kisha vështirësi për të fituar. Kur unë u riktheva ishim në fazën e rindërtimit. Të kesh ambicie për të fituar gjithmonë është diçka tjetër, por për këtë gjë unë kam qenë gjithmonë i qartë, ashtu si entuziazmi im që nuk vihet asnjë moment në dyshim. Viti i ardhshëm do të jetë ndryshe, ndërsa nesër në mbrëmje do të marrim vesh në çfarë komepticioni europian do të bëjmë pjesë, në mënyrë që të bëjmë planet tona.”

TAKIMI ME DREJTUESIT- “Pas përfundimit të kampionatit do të vendosim me qetësi se çfarë do të bëjmë për sezonin e ardhshëm dhe duke filluar nga kjo shoqëria do të bëjë vlerësimet e saj, duke menduar edhe për bilancet që duhet të respektohen. Jam i sigurt që do të bëjmë një sezon të madh”, tha ndër të tjera Allegri. /oversport.tv