Vizitë e veçantë në Londër, kombëtarja i bën dhuratë tifozit special

Danilo Shkodra e ka bërë më të bukur udhëtimin e kombëtares shqiptare në Londër. Ai i ka bërë një vizitë speciale Shqipërisë para ndeshjes me Anglinë. Shkodra është takuar sot me lojtarët kuqezi në hotelin ku është akomoduar skuadra në Londër në prag të ndeshjes së Wembley-t ndaj Anglisë.

Ai jeton në Londër dhe është një tifoz i zjarrtë i kuqezinjve. I pritur nga të gjithë lojtarët e kombëtares, Shkodra ka parë ëndrrën e tij të bëhet realitet ku ka takuar lojtarët që i ndjek me emocion në çdo ndeshje.

Kapiteni Etrit Berisha e ka falënderuar Danilon për këtë vizitë dhe për mbështetjen që ai i jep nga larg përfaqësueses shqiptare. Me këtë rast lojtarët i kanë dhuruar edhe një fanellë të Kombëtares tifozit special. Edhe djaloshi i falënderoi shumë lojtarët dhe u shpreh i emocionuar për këtë surprizë të bukur.

Ndërkohë, në hotelin ku po qëndron kombëtarja ka ndodhur edhe një tjetër vizitë speciale. Përfaqësuesja jonë është vizituar edhe nga boksieri i famshëm shqiptar Florian Marku. Ai postoi në rrjetet sociale një fotografi ku është në shoqërinë e lojtarëve të kombëtares. /oversport.tv