Vjen edhe zyrtarizimi, Pep Guardiola rinovon kontratën me Manchester Cityn

Tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi. Pep Guardiola rinovon kontratën e tij me Manchester Cityn. Ka qenë vetë klubi anglez që me anë të një postimi në faqen zyrtare ka bërë publik lajmin.

Në të thuhet se Guardiola ka firmosur një kontratë të re 2-vjeçare që do ta mbajë lidhur me Manchester Cityn deri në verën e vitit 2025. Një rinovim ky që pritej pasi palët ishin prej kohësh në diskutime për kontratën e re.

Që kur ka marrë drejtimin e “Qytetarëve”, Pep Guardiola i ka udhëhequr drejt 11 trofeve të mëdhenjë në Angli. Tekniku spanjoll ka fituar gjithashtu 4 nga 5 kampionatet e fundit në Angli.

Guardiola ka fituar 271 nga 374 ndeshje në total në drejtim të Cityt, duke pasur 72.4% sukses në ndeshjet e tij. Guardiola mban gjithashtu rekordin për më shumë fitore nga një trajner në Angli që drejton një ekip më shumë se 50 ndeshje. /oversport.tv

Foto: Manchester City, Twitter