Vjen konfirmimi, Immobile do të mungojë në ndeshjen kundër Juventusit

Tashmë është zyrtare: Ciro Immobile do të mungojë në ndeshjen e së shtunës kundër Juventusit.

Sulmuesi i Lazios bëri të pamundurën për të qenë në këtë sfidë, u mundua që të rikuperojë më shpejt se çfarë parashikohej nga dëmtimi në pulpë, që e pengoi të vishte fanellën e kombëtares italiane në sfidat kundër Zvicrës dhe Irlandës së Veriut.

Kontrollet e fundit mjekësore që u zhvilluan sot në Klinikën Paideia kanë dhënë përgjigjen negative, muskuli nuk është akoma gati që të sforcohet dhe stafi mjekësor i skuadrës bardhekaltër nuk mendon se është rasti për të rrezikuar që ky dëmtim të ndodhë sërish.

Lojtari do të ndjekë tani protokollin normal të rehabilitimit, atë që në teori duhet ta rikthejë në fushë në kohë për sfidën kundër Napolit në Serie A në 28 nëntor. / Oversport.tv