“Në Firence jetoj si mbret, erdha këtu kur isha shumë i vogël dhe tani kjo është shtëpia ime e dytë”- Dusan Vlahovic ka shpjeguar motivet që e bënë të qëndrojë në Firence, ndonëse e kërkonin shumë klube Europiane.
“Po flas hapur fare, mendoj se ata që vijnë nga Ballkani i bëjnë gjërat më shumë me zemër, sesa me tru. Ndjeja që duhet të qëndroja këtu, që të mund të rritem akoma. Do të bëjë shumë gola, të tjerat mbeten për t’u parë”.
Bomberi 21-vjeçar i Fiorentinës nuk fshihet dhe i lëshon dorashkën e sfidës bashkëmoshatarit Haaland: “Ai është një makineri, një robot. Është më i shpejtë se unë, për të tjerat jemi aty aty”.
Mes idhujve të tij është Ibrahimoviç: “Për karakaterin dhe dëshirën për të mos u dorëzuar kurrë. Nuk lejon askënd që ta komandojë, pastaj bën ca gjëra shumë të bukura në fushën e blertë. Pas ndeshjes në Firence ku humbëm 3-2 i kërkova bluzën. Ma dha, e firmosi dhe bëmë edhe foto. Më tha të vazhdoj kështu dhe të mos dorëzohem kurrë, por unë nuk jam shumë i zoti me fjalët kur takoj një idhull, një legjendë”.
Një tjetër ikonë e skuadrës “vjollcë”, Jovetic ka vlerësimin maksimal nga Vlahovic: “18 vjeç u bë kapiteni i Partizanit dhe unë shkoja në stadium çdo të dielë për të parë ato që bënte në fushë.”
Në fillimet e tij kur shënonte imitonte Cristiano Ronaldon: “E përdornin të gjithë, ishte në modë. Në dhomat e zhveshjes thamë se tek goli i parë do të festoja si ai”-ka përfunduar sulmuesi i Fiorentinës, Dusan Vlahovic. /Oversport.tv