Vlerësim i rëndësishëm, legjenda Maldini shpallet drejtuesi i vitit në Itali

Paolo Maldini, një prej futbollistëve kyç të epokës së artë të Milanit, skuadër me të cilën luajti plot 24 vite dhe fitoi çdo trofe të mundshëm klubesh, tanimë ka fituar çmimin si drejtori më i mirë teknik i vitit, falë kontributit që po jep në ringritjen e klubit si brenda, por edhe jashtë fushës së blertë.

Drejtori teknik i Milanit sot mori çmimin “Manlio Scopigno” për aftësitë e tij në transformimin e një klubi që ishte në një formë jashtë çdo standardi të një skuadre të madhe dhe gjendej në një krizë të thellë financiare.

Komiteti që vendos për fituesin e këtij çmimi dha një deklaratë për të shpjeguar pse legjenda e Milanit dhe Italisë e meriton këtë çmim.

“Pasi shkroi historinë me Milanin dhe kombëtaren e Italisë, ai po tregon se është një drejtor teknik i mrekullueshëm gjithashtu.”

“Si drejtori teknik i Milanit, ai ka mundur që të marrë rezultate shumë të mira dhe ka vënë në funksion në mënyrë shumë të zgjuar vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të klubit.”

“Ai ka qenë një figurë thelbësore në ringritjen e Milanit dhe ka shënuar një tjetër sukses në historikun e tij prej kampioni.”

Gjatë kohës së Maldinit si drejtor teknik, Milani u rikthye në Champions League pas shtatë vitesh thatësire dhe janë aktualisht vetëm një pikë larg nga vendi i parë i Serie A. / oversport.tv