Vllaznia fiton dhe sheh Europën, Dinamo prek fundin

Vllaznia merr një fitore të çmuar përballë Dinamos në sfidën që mbylli javën e 23-të të kampionatit dhe falë këtij suksesi barazon Kukësin e vendit të tretë në kuotën e 38 pikëve në tabelën e klasifikimit.

Shkodranët dominojnë sfidën në “Loro Boriçi” dhe shënojnë nga një gol për çdo pjesë, fillimisht me Latifin nga pika e bardhë dhe më pas me Aralican. Goli i Sofranac në fund të sfidës shërben vetëm për statistika.

Latifi fiton një penallti, që pasi konfirmohet nga VAR, e kthen në gol. Shkodranët dominojnë dhe shënojnë sërish me Aralica, por goli i tij anulohet nga VAR për pozicion jashtë loje.

Dinamo ka një mundësi të artë që të barazojë rezultatin në fund të pjesës së parë, por Sidibe nuk arrin që të çojë topin në rrjetë.

Pjesa e dytë nis me gol. Është sërish Ante Aralica që gjen rrugën e rrjetës dhe kësaj radhe goli vlen. Ka protesta nga miqtë dhe një pjesëtar i stafit të Dinamos largohet me karton të kuq. Dinamo mundohet të reagojë dhe rrezikon me Demirin dhe Chinedu por pa arritur që të kalojë portierin Qarri.

Vllaznia zbret rrezikshëm në kundërsulm dhe i afrohet edhe golit të tretë me Latifin. Dinamo shënon me Sofranac 5 minuta para përfundimit të sfidës dhe hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit, por nuk arrin që të evitojë humbjen në Shkodër.

Vllaznia merr tre pikë të arta që e afrojnë shumë me Europën, ndërsa Dinamo është në krizë të plotë dhe tashmë ka zbritur në zonën që të çon në kategorinë e parë. / Oversport.tv

Shqipëri-Kategoria Superiore / Java e 23-të

Vllaznia-Dinamo 2-1

Latifi 16’ (pen), Aralica 48’ / Sofranac