Është mbyllur në barazim pa gola ndeshja e javës së katërt Skënderbeu-Vllaznia. Edhe pse një ndeshje me plot raste, asnjë nga ekipet nuk mundi dot të çonte topin brenda në rrjetë.
Ndeshja nisi mirë për vendasit me dy raste për të shënuar por pa mundur dot të shfrytëzoheshin nga Berisha dhe Mensah. I njëjti fat ishte edhe për Vllazninë ku pak minuta më vonë Krymi nuk shënjestroi dot si duhej kuadratin e portierit Rexhepi.
Në fund të pjesës së parë, një zënkë midis Zguros dhe Adilit bëri që ky i fundit të ndëshkohej me karton të kuq.
Vllaznisë ju desh të luante gjatë gjithë pjesës së dytë me 10 lojtarë. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi aspak shkodranët të kërkonin golin e fitores, por ishin të pafat në fundit e ndeshjes ku një krosim i rrezikshëm i Hakaj nuk mundi të devijohej nga lojtarët që ishin aty pranë.
Kështu ndeshja u mbyll në barazim pa gola me Vllazninë që mban vendin e dytë pas barazimit të tretë rresht. Sakaq Skënderbeu mbetet në vendin e tetë me tre pikë, ende pa arritur fitoren e parë këtë sezon. / oversport.tv