Vllaznia nis përgatitjet për Europën, një emër i njohur merr pozicionin e Drejtorit Sportiv

Ditën e djeshme është mbyllur edicioni i 81-të i Abissnet Superiore dhe pas sigurimit të pjesëmarrjes në Kupat e Europës (falë fitores në javën e fundit përballë Bylisit) Vllaznia nis menjëherë përgatitjet për një paraqitje sa më dinjitoze në Europë.

Klubi shkodran njofton se pozicioni i Drejtorit Sportiv, i është besuar një emri të njohur si Elvis Plori, që sezonin e fundit i shpall kampion i vendit me skuadrën e Vllaznisë U21.

“Klubi i Futbollit Vllaznia ka filluar menjëherë punën organizative për një pjesëmarrje sa më dinjitoze në Kupat e Evropës dhe arritjen e objektivit maksimal në sezonin e ri 2023-2024. Duke vlerësuar përpjekjet, egon, ambiciet dhe dëshirën për të krijuar një kolektiv me mentalitet fitues, pozicioni i Drejtorit Sportiv pranë Klubit të Futbollit Vllaznia i është besuar trajnerit kampion të Superligës U-21, z.Elvis Plori”, shkruhet në njoftimin e klubit shkodran. / Oversport.tv