Vllaznia rikthehet te fitorja, mposht Kastriotin dhe shton presionin ndaj kreut

Vllaznia është rikthyer te fitorja pas katër ndeshjesh dhe shton presionin ndaj kreut. Shkodranët mposhtën me rezultatin minimal 1-0 ekipin e Kastriotit në një ndeshje të vendosur nga Liridon Latifi në minutën e 76.

Ndeshja nuk pati një ritëm të kënaqshëm në pjesën e parë. Asnjë nga ekipet nuk po rrezikonte sa duhej dhe momenti kulminant i pjesës së parë ishte prentendimi për një 11-metërsh nga lojtarët e Kastriotit. Këta të fundit pretendonin për një prekje të topit me dorë nga ana e Mevlan Adilit, por për gjyqtarin e takimit gjithçka ishte e rregullt.

Në pjesën e dytë Vllaznia nisi vrullshëm duke kërkuar golin që në minutat e para të startit. Megjithatë, Latifi u ndal nga portieri vendas duke mos e lejuar topin të hyjë në rrjetë.

Në minutën e 76 Vllaznia fiton një 11-metërsh. Gjyqtari Beqiri u konsultua me sistemin VAR dhe vendosi që topi të goditej nga pika e bardhë e penalltisë. Latifi merr përsipër gjithçka duke shënuar edhe golin e vetëm te këtij takimi.

Kështu, Vllaznia ngjitet në kuotën e 30 pikëve dhe shton presionin ndaj Laçit dhe Kukësit që janë vetëm një pikë më shumë. Nga ana tjetër Kastrioti vazhdon lundrimin në fundin e tabelës me 12 pikë të grumbulluara në 18 ndeshje. /oversport.tv

ABISSNET SUPERIORE – Java 18
Kastrioti-Vllaznia 0-1
Shënues:
Latifi (pen) 76’