Vllaznia tregon situatën e Esat Malës, ja kur pritet të kthehet nga dëmtimi

Dëmtimi në sfidën e fundit ndaj Partizanit ka rezultuar më i rëndë nga sa pritej për Esat Malën. Ky i fundit është detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe për këtë arsye do të qëndrojë jashtë fushave të paktën rreth 6-8 javë.

Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë klubi i Vllaznisë me anë të një postimi në rrjetet sociale. Shkodranët kanë publikuar në Facebook një foto të Esat Malës pas operacionit të kryer dhe kanë zbuluar më shumë detaje për gjendjen e tij.

POSTIMI I PLOTË

I dëmtuar rëndë në ndeshjen e së shtunës ndaj Partizanit, futbollisti Esat Mala i është nënshtruar ditën e sotme një ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët kanë konstatuar një thyerje të klavikulës dhe për këtë arsye, ka qenë e nevojshme ndërhyrja. Ajo është zhvilluar në një nga spitalet e kryeqytetit nga Prof. Dr. Kenan Bayrakci dhe ka konsistuar në riponim me protezë të pjesës së thyer.

Pjestarë të stafit mjekësor të Vllaznisë që kanë qenë pranë lojtarit ditën e sotme, bëjnë të ditur se gjithçka ka shkuar në mënyrën e duhur për të dhe tashmë do t’i duhen 15 ditë mobilizim, reabilitim fizioterapik.

Ndërkohë pas 30 ditësh, futbollisti do të fillojë të bëjë një aktivitet të lehtë fizik, kryesisht me ushtrime dhe vrapime. Sipas mjekëve, rikuperimi i plotë do të zgjasë 6-8 javë. KF Vllaznia i uron futbollistit Esat Mala shërim të plotë dhe rikthim sa më të shpejtë në gjirin e ekipit! /oversport.tv