Volejboll: Partizani bie në Shijak ndaj Erzenit, shkëputet Tirana

Surpriza në kampionatin kombëtar të volejbollit të meshkujve. Java e 8 e Superligës solli një tjetër disfatë për kampionët e Partizanit. Skuadra e Ylli Tomorrit u mposht në “Dhimitraq Goga” nga Erzeni i shijakut në shifrat 3-1.

Të kuqtë dhanë përshtypjen e një suksesi pas fitimit të setit të parë por shijakasit përmbysën gjithçka duke fituar bindshëm tre setet pasardhëse. Triumfi i rëndësishëm e ngjit Erzenin në vendin e dytë duke parakaluar pikërisht Partizanin.

Klasifikimi i Superligës së volejbollit kryesohet nga Tirana që mposhti edhe Skënderbeun pa vështirësi, 3-0, ndërsa nuk njeh humbje prej fillimit të sezonit. Bardheblutë do të luajnë ndeshjen e fundit të fazës së parë të mërkurën përballë Elbasanit në transfertë.

Ndërkohë që në fundjavë, sëbashku me Erzenin do të udhëtojnë drejt Prishtinës për të zhvilluar finalet e Kupës “Pavarësia” përballë Dritës dhe Ferizajit, dy skuadrave të Superligës së Kosovës. I njëjti turne do do të vërë përballë edhe Tiranën me M Technologie sa i përket femrave, si dhe Vllaznianë kundër Dritës.