Volejboll: Finalja e parë e “playoff”-it vishet bardheblu, Tirana thyen Erzenin

Tirana ka fituar finalen e parë të serisë së playoff. Bardheblutë mposhtën me rezultatin 3-0 (26-24, 25-23, 25-22) skuadrën e Erzenit, në një ndeshje të luajtur në “Feti Borova”, në Parkun Olimpik të Tiranës.

Seti i parë ishte i luftuar, edhe pse Tirana në fillim arriti ta çonte diferencën në tre pikë, 11-8. Shijakasit reaguan dhe barazuan dhe në vijim ishte e balancuar, deri në 23-23.

Ameur i dha pikë Tiranës nga shërbimi, por loja shkoi 24-24. Vendasit mblodhën forcën dhe shënuan dy pikë, duke e mbyllur setin e parë 26-24.

Në setin e dytë Tirana në shumicën e kohës ishte 3-4 pikë përpara, por në fund ishte sërish interesante dhe u mbyll 25-23 në favor të kryesuesve të kampionatit të rregullt.

Seti i tretë nisi më mirë për Erzenin, që në fillim kishte epërsi. Gjithsesi Tirana reagoi dhe arriti të shkonte deri në 23-20.

Shijakasit e ngushtuan në 23-22, por vetëm kaq, pasi bardheblutë shënuan tre pikë të tjera dhe me rezultatin 25-22 fituan edhe setin e tretë dhe tani mendojnë për ndeshjen e dytë, e programuar të luhet të dielën në Shijak prej orës 19:00. / oversport.tv