Volejboll/ Fitore me peshë për Shqipërinë, mposht në Shkup Maqedoninë e Veriut

Kombëtarja shqiptare e volejbollit ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në Shkup përballë Maqedonisë së Veriut me rezultatin 3-1. Përveç setit të dytë, djemtë kuqezi zhvilluan një ndeshje në limitet e perfektes duke dalë me pike të plota nga ky takim.

Në setin e parë të besuarit e Jani Melkas arritët të çonin avantazhin në +7 (19-12), por në fund seti u mbyll me shifrat 25-23. Maqedonia e Veriut sakaq arriti të vendoste baraspeshën e takimit në setin e dytë pasi fitoi me rezultatin 25-20.

Humbja në setin e dytë megjithatë, nuk ndikon aspak në moralin e skuadrës kuqezi, që rikthehen në setin e tretë akoma edhe më të uritur për fitore. Të udhëhequr në sulm nga Qefarena, Doda e Bakiri, kuqezinjtë arritën të triumfonin 25-17.

Seti i fundit ishte padyshim edhe më emocionuesi në këtë takim me ekipet që përgjatë këtij fraksioni loje e panë veten plot 10 herë në barazim. Megjithatë, në fund Shqipëria pati mundësinë për set point që u shfrytëzua nga Krist Martiro me një bllok duke i dhënë edhe triumfin e parë Shqipërisë në këtë edicion të Silver League.

Shqipëria tashmë me këtë fitore ngjitet në kuotën e 4 pikëve në vendin e tretë, po aq sa Maqedonia e Veriut e vendit të dytë. /oversport.tv

Foto: cev.eu