Volejboll: Kundërshtarë sllovakë për Tiranën në Challenge Cup

Tirana e volejbollit të meshkujve ka mësuar kundërshtarët me të cilët do të debutojë në Challenge Cup. Në shortin e hedhur në mesditën e kësaj të marte në Luksemburg, goglat nuk rezultuan edhe aq fatsjellëse për skuadrën e vetme që përfaqëson Shqipërinë sezonin e ardhshëm në Kupat e Evropës.

Bardheblutë do të ndeshen në turin e parë me klubin sllovak të Rieker Ojs Komarno, një skuadër shumë cilësore e cila sezonin e kaluar mori pjesë për herë të parë në Cev Champions League ndërsa Superligën sllovake e mbylli si nënkampione.

Mision tejet i vështirë për kampionët e Shqipërisë të cilët, menjëherë do të nisin punën për të bërë përforcimet e duhura në merkato në mënyrë që të sfidojnë denjësisht kundërshtarët.

Sfida e parë do jetë në transfertë për Tiranën prej datave 11 deri në 13 tetor (mbetet për tu përcaktuar) ndërsa takimin e kthimit bardheblutë do ta luajnë në kryeqytet një javë më vonë. Nëse kampionët e Shqipërisë arrijnë të kualifikohen me shumë mundësi do të kenë përballë në turin tjetër të turneut grekët e Olympiakos. / Oversport.tv