Volejboll: Përfundon në Rumani ëndrra kuqezi, Shqipëria zhgënjen në Galati

Përfundon në Galati të Rumanisë ëndrra e kombëtares kuqezi të meshkujve në volejboll për një kualifikim historik në “Final Four” të Silver League.

Shqipëria kishte fituar tre ndeshje në grup dhe kualifikohej si parë e grupit nëse fitonte në transfertë përballë Rumanisë, ose nëse humbiste duke fituar 2 sete.

Por djemtë kuqezi nuk kanë arritur asnjë nga këto objektiva në sfidën e transmetuar live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo, sepse janë mposhtur 3-0 nga Rumania, në ndeshjen e fundit të grupit.

Vendasit dominojnë setin e parë të cilin e fitojnë 25-18. Rumunët luajnë më mirë edhe në setin e dytë dhe triumfojnë 25-19. Djemtë e teknikut Jani Melko mundohen të reagojnë në setin e tretë, që është shumë i luftuar, por në fund fitohet 25-22 nga rumunët.

Përfundon këtu aventura e Shqipërisë në Silver League, por duhet theksuar se djemtë kuqezi kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në grup, duke iu afruar një kualifikimi historik. / Oversport.tv