Volejboll: Startojnë grupet e Champions League, superduele në Oversport

Më në fund pritja mbaroi. Do të startojnë sot ndeshjet e fazës së grupeve të Champions League në volejboll për meshkuj për sezonin 2021-22, një event që do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport.

Skuadrat më të mira të kontinentit në volejboll do të mund ti shihni Live në kanalet Oversport dhe në platformën Tibo. 20 skuadrat e ndara në 5 grupe, me 4 ekipe secili, synojnë të kualifikohen për në çerekfinalet e kompeticionit (kualifikohen 5 të parat dhe 3 të dytat më të mira të grupeve).

Favoritët mbetet të njëjtët, ata që kanë dominuar skenën europiane gjatë viteve të fundit. Kampionët në fuqi të turneut, polakët e ZAKSA Kedzierzyn-Kozle, synojnë që të mbrojnë titullin, ndërsa Cucine Lube Civitanova, Itas Trentino dhe Monini Perugia duan që të rikthejnë trofeun në Itali.

Ditën e sotme do të luhen dy takimet Fenerbahce- Cannes dhe Jastrzebski- Hebar. Ndeshja me turqve dhe francezëve të Cannes, që luhet në orën 17:00, do të transmetohet live në Oversport 3.