Volejboll: Tirana rikthehet në Europë, të martën shorti i Challenge Cup

Tirana është skuadra e vetme e cila do të përfaqësojë volejbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Skuadra e Arben Sakos, e cila u rikthye kampione kombëtare pas plot 28 vitesh, ka konfirmuar praninë në Kupat e Evropës dhe do të kërkojë të lërë gjurmë tashmë edhe përtej kufijve.

Më 28 qershor në orën 12:00, bardheblutë do të presin shortin e Konfederatës Evropiane të Volejbollit për të mësuar kundërshtarët e turit të parë të Challenge CUP. Kryeqytetasit nuk marrin pjesë në gara ndërkombëtare prej më shumë se dy dekadash ndaj rikthimi pritet me interes edhe për faktin se skuadra ka një kontingjent cilësor lojtarësh ndërsa ka konfirmuar dhe pjesën më të madhe të volejbollistëve me të cilët u shpall kampion sezonin e kaluar.

Burime për Oversport pranë klubit bardheblu bëjnë me dije se 10 herë kampionët e Shqipërisë do të kenë përforcime të tjera për Kupat e Evropës, ndërkohë që sa i përket kampionatit shqiptar, në merkato do të punohet për të afruar lojtarë të huaj që prej fazës së parë të sezonit (prej muajit shtator).

Tirana ndërkohë prej kësaj jave ka nisur përgatitjet dhe grumbullimin për sezonin e ri me në fokus ndeshjen e parë në Challenge Cup. / Oversport.tv