Volejboll: VakifBank mbretëresha e re e Europës, shkurorëzon Coneglianon

VakıfBank është shpallur kampione e Europës në volejboll për femra, pasi ka mposhtur në finale 3-1 (25-22, 25-21, 23-25, 25-21) italianet e Carraro Imoco Conegliano.

Ka qenë një ndeshje e mbushur me emocion dhe spektakël, finalja e CEV Champions League për femra e transmetuar live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Sfida ka qenë e luftuar në çdo set, por braziliania Gabriela Braga Guimaraes dhe suedezja Isabelle Haak, respektivisht me 22 dhe 19 pikë, kanë udhëhequr skuadrën nga Stambolli drejt këtij suksesi të madh në “Stozice Arena” të Ljubljanës.

Paola Ogechi Egonu ishte shënuesja më e mirë e finales me 38 pikë, por ato nuk kanë mjaftuar që Conegliano të ruante titullin, që kishte fituar një sezon më parë.

Europa e volejbollit për femra ka një kampione të re, VakifBank të Stambollit, që koleksionon kështu Champions League e 5-të në historinë e saj dhe hakmerret për humbjen përballë Coneglianos një sezon më parë. / Oversport.tv

Foto: cev.eu