Vrioni “magjeps” Swarowski Tirolin, Juventusi e vëzhgon nga larg

Wattens është një komunë e vogël me më pak se 8 mijë banorë në qarkun e Innsbruck-Land të Tirolit. Qyteti i vogël 13 kilometra larg Innsbruckut është i famshëm më shumë për muzeun e Swarovskit sesa për futbollin.

Por është një shqiptar, që po rizgjon entuziazmin e WSG Swarowski Tirol, që në kampionatin austriak renditet i treti nga fundit me 13 pikë në 13 ndeshje të luajtura.

Nga ato anë faqet e para të gazetave janë të gjitha për Giacomo Vrionin, bomberin e skuadrës me 7 gola të shënuar në 11 ndeshje të luajtura mes kampionatit dhe kupës kombëtare. Sulmuesi ka shënuar 3 gola në 3 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar.

Vrioni është në pronësi të Juventusit dhe shkoi në Austri për të provuar një eksperiencë të re, ku mund të aktivizohej më shumë dhe deri tani duket se la bërë zgjedhjen e duhur. Sulmuesi është kthyer në një lider në skuadrën e tij dhe tekniku Silberberger e vlerëson shumë.

Por, Juventusi nuk e ka humbur interesin për shqiptarin, po e vëzhgon nga larg dhe gëzohet me rritjen e 23-vjeçarit. Vrioni ka bërë për vete Austrinë dhe tashmë kërkon të bindë edhe drejtuesit e Juventusit, që të rikthehet sa më shpejt tek skuadra bardhezi. / Oversport.tv