Wenger këmbëngul për Botërorin çdo dy vjet: Lojtarët janë me mua

Arsene Wenger, përgjegjësi për zhvillimin e futbollit në FIFA, në një intervistë për “La Repubblica”, vazhdon të mbrojë idenë e tij për zhvillimin e Kupës së Botës çdo 2 vjet dhe thotë se lojtarët janë në krah të tij në këtë debat të hapur.

“Dua që ndeshjet kualifikuese të grupohen në një ose dy sesione ndërkombëtare dhe pjesën tjetër të kohës, lojtarët të fokusohen tek klubet e tyre”, ka thënë francezi.

Ish-tekniku i Arsenalit kërkon që të zhvillohet çdo vit një Botëror ose një Europian dhe shpjegon ndryshimin mes kësaj ideje dhe Superligës, që donin të krijonin klubet europiane.

“Objektivi ynë është të mos krijojmë një qark të mbyllur dhe ekskluziv, por t’u japim mundësinë të përfaqësohen të gjitha shtetet. Mund të gëzohen të gjithë. Traditë nuk do të thotë, që të rrish në vend pa lëvizur”.

Wenger vazhdon më tej duke thënë se lojtarët e mbështesin në këtë projekt: “Jemi konsultuar me një numër të caktuar lojtarësh të nivelit të lartë dhe di se do t’u pëlqente që të luanin akoma më shumë ndeshje të rëndësishme”. / Oversport.tv