West Ham fiton Conference League, Fiorentina bie në frymën e fundit

West Ham ngrë në qiell trofeun e Conference League pasi mposht në frymën e fundit Fiorentinën me rezultatin 2-1. Finalja është shumë emocionuese, por në fund janë anglezët ata që buzëqeshin dhe fitojnë trofeun e dytë europian në historinë e tyre. Golat e Benrahma dhe Boëen mjaftuan që të bënin të pavlefshëm golin e Bonaventurës i cili vendosi përkohësisht baraspeshën.

Minutat e para të takimit janë të qeta me të dyja ekipet që mendojnë më shumë për të studiuar kundërshtarin. Më pas ritmi fillon të shtohet dhe anglezët krijojnë mundësinë e parë me Declan Rice. Provon edhe Nikola Milenkovic, por pa sukses. Në fundin e pjesës së parë, Fiorentina gjen edhe golin e avantazhit me anë të Luka Jovic, por sistemi VAR e anulon për një pozicion jashtë loje.

Në barazim mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, është totalisht një tjetër histori. Biraghi prek topin me dorë në zonë dhe gjyqtari i takimit konsultohet me sistemin VAR, ku më pas akordon një 11-metërsh për anglezët. Penalltia kthehet në gol nga Berahma që mposht portierin Terracciano. Megjithatë, festa e anglezëve nuk zgjat shumë, sepse 5 minuta më vonë, Fiorentina gjen golin e barazimit me Giacomo Bonaventura.

Atmosfera ndizet edhe më shumë nga të dyja ekipet që hidhen në sulm në kërkim të golit të avantazhit. Soucek ka një mundësi të mirë për anglezët, por bllokohet nga portieri i Fiorentinës.

Kur pritet që koha e rregullt të mbyllet në barazim dhe ekipet t’i drejtohen kohës shtesë, është Boëen që merr një pasim fantastik nga Paqueta dhe I vetëm përballë Terraccianos e çon topin në rrjetë. Ky është edhe goli që vulos rezultatin përfundimtar të kësaj finaleje, me West Hamin që feston dhe ngrë në qiell një trofe, që mungonte prej vitit 1980. /oversport.tv

Foto: West Ham United, Twitter