West Ham luan poker me Aston Villan, Leeds gjen fitoren ndaj Norwich

West Ham dhe Leeds United kanë arritur nga një fitore në javën e 10-të të Premier League. Londinezët mposhtën në transfertë ekipin e Aston Villas me rezultatin 4-1. Ndërkohë, edhe Leeds fitoi po ashtu në transfertë, 2-1 kundër Norwich të vendit të fundit.

West Ham kaloi në avantazh që në minutat e para me anë të Johnson. I riu 21-vjeçar gjeti rrugën e rrjetës pas një pasimi të Declan Rice duke e çuar rezultatin në 1-0. Për të vendosur barazpeshën mendoi Ollie Watkins. Sulmuesi e pa veten të lirë brenda në zonë dhe me një goditje në kuadrat e bëri të pamundur reagimin e portierit kundërshtar. Për të kaluar përsëri në avantazh miqtë mendoi kapiteni Rice që realizoi golin e 2-1. Më pas ishin Pablo Fornals dhe Jarrod Bowen që vulosën gjithçka. Të dy mesfushorët arritën të gjenin rrugën e rrjetës duke e çuar rezultatin final në tabelë në 4-1.

Në ndeshjen tjetër, Leeds United ka arritur një fitore në transfertë ndaj Norwich me rezultatin 2-1. Ndeshja u vendos brenda 4 minutave ku u shënuan plotë 3 gola. Ishte Leeds që kaloi i pari në avantazh me anë të Raphinhas. Megjithatë, dy minuta më vonë, Omobamidele barazpeshoi gjithçka, ndërkohë që do të nevojiteshin prapë 2 minuta për të kaluar përsëri në avantazh Leeds me anë të Rodrigo.

 PREMIER LEAGUE-JAVA E 10-TË
ASTON VILLA- WEST HAM 1-4
Shënues:
Johnson 7’, Rice 38’, Fornals 80’, Bowen 84’ / Watkins 34’

NORWICH-LEEDS 1-2
Shënues:
Raphinha 56’, Rodrigo 60’ / Omobamidele 58’