West Ham humbet mbrojtësin për disa muaj, dëmtim i rëndë për Ogbonna

West Hami i David Moyes fluturon këtë sezon dhe pas 11 javëve renditet i dyti në tabelën e klasifikimit, në kuotë të barabartë pikësh me Manchester Citin e Guardiolës dhe vetëm 3 pikë larg kryesuesve të  Chelsea.

Lajmet e këqija për skuadrën vijnë nga infermieria. Në ndeshjen  e fundit kundër Liverpoolit, Angelo Ogbonna u detyrua që të braktisë fushën e lojës që në minutën e 22-të për shkak të një dëmtimi.

Vizitat mjekësore, sipas asaj që njofton vetë klubi përmes një deklarate zyrtare, kanë nxjerrë në pah një dëmtim serioz: “lëndim të ligamentit anterior të gjurit të djathtë”.

Një lajm shumë i keq për Moyes dhe West Ham, pasi mbrojtësi ishte një pikë kyçe e formacionit. Sipas mjekëve të klubit anglez, gjatë javës lojtari do ti nënshtrohet një kontrolli tjetër për të kuptuar gjendjen e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit, por gjithsesi duket se Ogbonna do të qëndrojë disa muaj jashtë fushës së blertë. / Oversport.tv