Xavi i hap derën Barcelonës: Do të vlerësoj çdo ofertë që më vjen

“Çdo ofertë që vjen duhet të vlerësohet dhe më pas merret një vendim. Nuk e di se ku do të më çojë e ardhmja, por jam i hapur për çdo alternativë”. Këto janë fjalët e Xavi Hernandez, ish-legjendë e skuadrës së Barcelonës për televizionin spanjoll Tve.

Aktualisht, ish-mesfushori i Barcelonës është trajner i skuadrës Al Sadd në Katar, por në fjalët e tij kuptohet qartë që nuk e mohon një rikthim në Katalonjë, kësaj here si trajner, në vend të Ronald Koeman.

Xavi ka qënë një nga emrat më të lakuar për të marrë drejtimin e Barcelonës, sepse ndonëse i mungon eksperienca si trajner, ka bërë gjëra të mrekullueshme si lojtar me fanellën blaugrana. Ai njeh shumë mirë ambientin dhe do të ishte zgjedhja e preferuar e tifozëve.

Mirëpo, presidenti Laporta ka konfirmuar teknikun aktual, Koeman, duke deklaruar se meriton respekt, pasi vendosi të bashkohet me Barcelonën në një moment shumë të vështirë, si nga ana sportive edhe nga ajo ekonomike. /Oversport.tv