Xhixha dhe Kallaku për rekord, statistikat e veçanta të bardhebluve në derbi

Redon Xhixha ishte njeriu që vendosi derbin. Me dy golat e tij, sulmuesi i bardhebluve mposhti Partizanin në “Air Albania”, duke qenë protagonisti absolut i supersfidës së javës së gjashtë.

Në faqen zyrtare, Tirana ka shpërndarë disa statistika interesante në lidhje me kundërsulmet që sollën edhe dy golat ndaj të kuqve.

Bardheblutë kanë nxjerrë edhe statistikat e lojtarëve të saj në lidhje me kohëzgjatjen e një aksioni apo edhe shpejtësinë maksimale të përshkruar nga lojtarët.

Redon Xhixha, në golin e parë, ka konsumuar vetëm 45 sekonda. Sulmuesi ka përshkruar 43 metra për 5.1 sekonda. Siç shihet edhe në postimin e bërë nga KF Tirana, në atë kundërsulm, Xhixha ka arritur shpejtësinë maksimale 33.5 kilometra në orë.

Momenti tjetër kulmor në derbi ishte kundërsulmi vrastar i Xhixhës për golin e dytë. E përkthyer në shifra, bomberi i bardhebluve ka arritur shpejtësinë maksimale 31.7 kilometra në orë. Në atë galopim fantastik, Xhixha ka përshkruar 65.2 metra për 8.1 sekonda.

Xhixha ishte lojtari vendimtar i derbit, pikërisht për ato dy kundërsulme vrastare, mirëpo një tjetër futbollist i Tiranës ka arritur shpejtësinë më të lartë. Për rekord, ka qenë Sherif Kallaku, i cili ka arritur shpejtësinë 33.7 kilometra në orë duke përshkruar 24.2 metra për 2.9 sekonda. / Oversport.tv