“Xholi” Bajrami, Shqipëria me pak dilema kundër Hungarisë

Edi Reja nuk i pëlqen eksperimentet, sidomos në një fazë kaq delikate të sezonit ku Kombëtarja shqiptare do të luajë dy sfida të rëndësishme për ëndrrën e madhe të Botërorit. Kjo do të thotë se ai do të mbajë të njëjtin bllok futbollistësh, me të cilët ka luajtur ndeshjet e fundit. Por problemi më i madh është në mesfushë, ku nuk do të jenë të gatshëm dy lojtarët Amir Abrashi dhe Qazim Laçi për shkak të dëmtimeve. Kjo gjë mund ta detyrojë italianin që t’i qëndrojë besnik skemës 3-4-1-2, të cilën e përdori për Hungarinë dhe San Marinon.

“Xholi” Bajrami- Prezenca e Nedim Bajramit e detyron Rejën që të zbresë në fushë me këtë modul, edhe pse nuk përjashtohen surprizat. Mesfushori i Empolit është tipik fantazist, por mund të marrë edhe detyra mbrojtëse në këtë sfidë të rëndësishme.

Ai ka për detyrë që të bëjë lidhjen e mesfushës me sulmin duke u futur nga e majta për të provuar portën. Ai do të mbështesë dyshen Manaj-Cikalleshi, të cilët janë të preferuarit e trajnerit italian për këtë sfidë. Por nëse Bajrami zbret pak më poshtë në vendosje, atëherë rikthehet klasikja 3-5-2.

Uzuni në formë- Myrto Uzuni është duke kaluar një formë të mirë dhe sigurisht që do të luajë shanset e tij për një fanellë titullari, edhe pse në hierarki është pas Cikalleshit dhe Manajt. Nëse do t’ia dalë të fitojë vendin, atëherë skema do të bëhet 3-4-2-1, ku beratasi do të luajë me Bajramin pas shpinës së Manajt ose Cikalleshit. Por ai mund të jetë edhe një armë e fortë edhe nga stoli. Nuk duhet të harrojmë që me moral të lartë vjen edhe Broja që shënoi 2 gola në ndeshjet e fundit.

Mesfusha- Në repartin më të rëndësishëm të skuadrës, “çelësat” do t’i kenë dyshja Gjasula-Bare. Të fortë fizikisht, por edhe me sens të lartë taktik dhe teknik do të furnizojnë me topa lojtarët e sulmit. Nga krahët Elseid Hysaj është i sigurt djathtas dhe në të majtë dueli do të zhvillohet mes Lenjanit dhe Trashit.

Tre muskëtierët- Ardian Ismajli do të tentojë mrekullinë për t’i rikuperuar në kohë për shkak të një problemi në këmbë. Nëse ia del do të formojë treshen me Kumbullën dhe Gjimshiti. Nëse jo, atëherë Enea Mihaj mund të jetë titullar. Në portë Etrit Berisha pritet të jetë titullari. /oversport.tv