Yakin: Presionin s’e ka Zvicra! Jemi si Suedia në 2018, të gjithë e mbajnë mend

Italia dhe Zvicra luajnë nesër një finale për vendin e parë ne grup, edhe pse Murat Yakin mundohet të mos e bëjë kaq dramatike. Tekniku i Zvicrën tenton të largojë presionin nga futbollistët e tij, pasi në fund të fundit fazën “play-off” e kanë siguruar.

“Ne e kemi siguruar vendin e dytë, kështu që në mendjet tona nuk do të ketë presion. E dimë se gjithçka është në dorën tonë. Ne do të përpiqemi të fitojmë. Ndryshe nga ndeshja e parë, do të kemi një formacion tjetër.

Gjithsesi nuk është vendimtare, pasi janë edhe gjashtë pikë në lojë dhe duhet të përpiqemi t’i shkaktojmë sa më shumë probleme Italisë. Ata janë kampionët e Europës, ndërsa ne duhet të jemi të matur dhe të shfrytëzojmë shanset tona për shënim. Nëse vetëm do të mbrohemi, nuk do të arrijmë asgjë.

Mund të kemi shanset tona duke shtyrë lart. Ne nuk jemi favoritët, ne jemi si Suedia në kualifikueset e Kupës së Botës në vitin 2018. Ne e dimë se çfarë ndodhi katër vite më parë, megjithëse Italia e ka lënë pas atë ndeshje dhe është bërë kampione e Europës”, tha fillimisht Yakin.

“Nëse duam të dalim të parët, duhet ta mposhtim Italinë dhe kjo është e qartë. Do të shohim se si do të zhvillohet loja. Roberto Mancini ka më shumë se tre vjet që drejton skuadrën e tij, ndërsa unë vetëm pak muaj kam në krye të Zvicrës. Gjithsesi kemi gjetur një stabilitet në mbrojtje tani.

Është e rëndësishme që nesër të jemi të guximshëm, pasi nuk mund të fitosh pa rrezikuar. Formacionin e kam vendosur, por do ia tregoj nesër skuadrës. Kemi besim tek ekipi dhe mund të përdorim strategjinë e duhur.

Italia pret nesër një rezultat të rëndësishëm, pasi më pas udhëton në Irlandën e Veriut dhe ne luajmë në shtëpi kundër Bullgarisë. Jemi të lumtur që jemi përballë kampionëve në fuqi të Europës dhe duam ta shijojmë këtë ngjarje, pavarësisht nga rezultati”, përfundoi Yakin. / oversport.tv